Nipi i deputetit dhe i shefit të antidrogës së Elbasanit plagos me armë një 35 vjeçar, i shpëton policisë

524

Nipi i një deputeti, gjithashtu nip i shefit të antidrogës së qarkut Elbasan ka plagosur me armë zjarri ditën e djeshme një 38 vjeçar. Burime për gazetën “SOT” bëjnë me dije se autori është 28 vjeçari Mikel Hoxha, nipi i deputetit të PDIU, Dritan Bici, si dhe nipi i shefit të antidrogës së Qarkut të Elbasanit, Ylli Bicit.

Ngjarja

Një sherr banal mes dy të rinjve do të përfundonte me plagosjen e një 35-vjeçari mëngjesin e djeshëm në Gramsh. Rreth orës 10:00 të mëngjesit 28-vjeçari Mikel Hoxha dhe 35-vjeçari me inicialet A. H., ishin duke konsumuar kafe në ambientet e të njëjtit lokal. Dy të rinjtë kanë pasur një konflikt verbal me njëri-tjetrin dhe kanë filluar të debatojnë me njëri-tjetrin. Hoxha i ka kërkuar 35-vjeçarit të dalin jashtë për t’u sqaruar. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes thonë se pas ofendimeve mes tyre, Mikel Hoxha ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj 35-vjeçarit.

Mësohet se ai nuk ka pasur si qëllim ta vrasë 35-vjeçarin por vetëm ta trembi, pasi Hoxha e ka qëlluar qëllimisht në kofshë atë. Pasi qëlloi, Mikel Hoxha u largua me shpejtësi nga lokali ku ishte, duke u futur në rrugicat e pallateve. Dyshohet se ai ka marrë automjetin e tij dhe është larguar në drejtim të Elbasanit. I plagosuri me inicialet A. H., është dërguar nga klientët e lokalit në spitalin e Gramshit.

Menjëherë mjekët i kanë ardhur në ndihmë duke hequr plumbin që ai kishte marrë. Sipas uniformave blu 35-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan forcat policore ku bënë të mundur sekuestrimin e një gëzhoje. Ndërkohë, 28-vjeçari i dyshuar si autor i kësaj ngjarjeje ka arritur të largohet dhe të humbë gjurmët. Pas identifikimit të autorit, policia nisi punën për kapjen dhe arrestimin e tij, por deri tani, ende nuk është bërë i mundur ndalimi i tij.

Uniformat blu bënë kontrolle në banesën e Mikel Hoxhës dhe të afërmeve të tij, por pa rezultat. Ndërkohë, grupi hetimor shkoi dhe në spital dhe mori në pyetje të plagosurin për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Sipas grupit hetimor dyshohet se 28-vjeçari është larguar nga qyteti i Gramshit dhe ka shkuar në Elbasan. Pika të shumta kontrolli u ngritën në aksin rrugor Gramsh-Cërrik-Elbasan, por pa rënë në gjurmët e 28-vjeçarit. Ndërkohë që në ndihmë të policisë së Gramshit kanë shkuar dhe forcat “Shqiponja”, të Elbasanit.

Policia

Në lidhje me ngjarjen e mëngjesit së djeshëm, Policia e Gramshit ka dhënë shumë pak detaje. Sipas policisë së këtij qyteti, sherri mes të rinjve, ku janë përdorur dhe armë zjarri ka ndodhur për motive të dobëta.

Policia ka sqaruar mediat për këtë ngjarje të rëndë me një komunikatë shumë të shkurtër dhe pa shumë detaje. “Më dt 6.5.2018 në ambientet e jashtme të një lokali në qytetin e Gramshit shtetasi Mikel Hoxha, rreth 28 vjeç, banues në Gramsh, për motive të dobëta ka plagosur në kofshë, me armë zjarri pistoletë, shtetasin me inicialet A. H., rreth 35 vjeç, banues në Gramsh.

I plagosuri është transportuar në spitalin e Gramshit dhe është jashtë rrezikut për jetën. Forcat e policisë janë vënë në ndjekje të autorit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka thënë zyrtarisht policia.

Nga Elvis MYRTA