Kryeministri Rama në Sofje: Kokaina e kapur në Shqipëri kaloi pa probleme në portet e BE-së

532

Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Sofja në Bullgari, ku po merr pjesë në një tryezë të Kryeministrave të rajonit, sekuestrimin në portin e Durrësit të 613 kilogramëve kokainë. Ndërsa e cilësoi këtë si ngarkesën më të madhe me drogë të llojit kokainë të kapur ndonjëherë nga policia shqiptare, Rama theksoi se sasia e madhe e kokainës i ka shpëtuar edhe kontrolleve në vendet e Bashkimit Europian.
“Droga ka kaluar në portet e Bashkimit Europian dhe faktikisht i ka shpëtuar kontrolleve. Ashtu sikundër ishte po kaq e rëndësishme edhe vetëdija dhe nënvizimi i kësaj vetëdijeje se ky ishte një operacion mirëfilli i agjencive tona ligjzbatuese, pa, në këtë rast, një sinjalizim nga partnerët.
Është krejt e natyrshme që ne të punojmë vijimësisht me partnerët. Është krejt e natyrshme që operacionet të jenë fryt i bashkëpunimit me partnerët, por në këtë rast është treguar gatishmëri dhe integritet i lartë i vetë forcave tona, të angazhuara në luftën kundër trafiqeve.
Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është gatishmëria e lartë e forcave tona në terren në këtë përballje të fortë kundër krimit të organizuar dhe trafikantëve të çdo lloji”, tha Kryeministri Rama.
Ai shtoi se është e qartë se faza e parë e mbyllur me sukses, për ta çrrënjosur kanabisin, tanimë ia ka lënë vendin fazës së dytë, ku lufta vjen duke u përshkallëzuar, gatishmëria duke u rritur dhe aftësitë e agjencive ligjzbatuese, duke u provuar në terren me rezultate konkrete.