Lind Drejtoria e Lumturisë

532

Ka nisur përhapja e madhe e një figure të re në kompanitë private botërore, menaxheri i lumturisë. Detyra e tij kryesore është të mos lejojë ikjen e punonjësve, veçanërisht talenteve më të mira, duke qenë përgjegjës për mirëqenien e stafit gjatë orëve të punës.
Shqetësimi më i madh në kohët moderne në kompanitë dhe bizneset, nuk është gjetja e figurave të rëndësishme që i krijojnë përfitime, por më tepër mbajtja e tyre në punë, duke u bërë kjo një pikë shumë e komplikuar. Të rinjtë e mijëvjeçarit të ri nuk kënaqen vetëm me një pagë të mirë, kështu që për t’i mbajtur duhet krijuar një ambient pune stimulues, pozitiv, bashkëpunues, për të evituar ikjet e punonjësve.
Kështu lindi figura e re profesionale, e cila po përhapet edhe në Kontinentin e Vjetër, ndërkohë që në SHBA ka një përcaktim të saktë, Chief Happiness Officer, pra Menaxheri i Lumturisë. Kjo figurë është pjesë e stafit drejtues të Burimeve Njerëzore dhe detyra e tij kryesore është të kuptojë dhe interpretojë nevojat e të punësuarve, për të ofruar mirëqenien maksimale për secilin, mënyrë kjo që do të përmirësojë klimën e punës.